Mançester Junajtid konfirmon Sançon, por kërkon “sozinë” e Pogbasë!

Nuk është lajm fakti që u prezantua një lojtar që ishte marrë disa javë më parë. Xhejdën Sanço u paraqit më në fund si lojtar i Mançester Junajtidit, i fotografuar me fanelën e kuqe dhe duke i dhënë dorën trajnerit Ole Gunar Solskjer, por vëmendja e klubit tashmë është diku tjetër. Investimi prej 73 milionë paundësh (85 milionë euro) është diçka e përfunduar dhe shpresohet të jetë i suksesshëm, ndërsa drejtuesit kanë nevojë të gjejnë tani një pasardhës për Pol Pogbanë. Mesfushori francez ka vetëm 1 vit kontratë në “Old Traford” dhe mësohet se nuk ka pranuar ofertën e klubit për rinovim e cila arrinte në total 50 milionë paundë stërlina, dhe duhej të ishte e vlefshme për disa vjet. Pritet që Pogba të shkojë tek Paris SG apo diku tjetër për rreth 50 milionë euro. Disa nga emrat që po shqyrtohen si pasardhës të tij janë Leon Gorecka, portugezi Nevesh i Uolvesit, Kamavigna që luan në Francë dhe Saul Nigez i Atletikos së Madridit.

Sfidanti.al