Edicioni i kaluar ishte si një shpërthim. Edhe pse luajti në ligën e tretë të Spanjës, sërish mjaftoi fanela “blaugrana” e Barcelonës B për t’ia rritur vlerën paraqitjeve të Rej Manajt, i cili duket se mund të kapë elitën. Me shumë gjasë do të luajë në La Liga të Spanjës, ndërsa klubi i Kadisit ka marrë informacion në “Kamp Nou”. Kadisi sapo është kthyer mes më të mirëve të futbollit spanjoll dhe kërkon të përforcojë ekipin, e Manaj duket alternativë shumë e mirë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi 16 gola e shërbeu 2 asistë sezonin e kaluar, ndërsa në Ligën e dytë arriti në 10 rrjeta në 56 ndeshje.
Do të ishte hera e parë që futbollisti 24-vjeçar me origjinë nga Lushnja do të provonte La Ligën, dhe shpreson të ndjekë gjurmët e dy lojtarëve të tjerë shqiptarë. Të sigurt për edicionin që vjen janë mesfushori Keidi Bare me Espanjolin dhe Ivan Balliu me Rajo Vajekanon. Manaj pritet të jetë i suksesshëm, pasi tashmë ka përvojën e duhur për nivelet e larta. Ai ka luajtur për Interin, Peskarën, Pizën e Kremonezen në Itali si dhe për Albaseten, Granadën e Barcelonën B në Spanjë.
Sfidanti.al