Mallkimi i Kielnit për Sakanë, si statujat që “qajnë” nëpër kisha!

Nja 25 vjet më parë, kur në Shqipëri shikoheshin ende gjerësisht lajmet në radiotelevizionin publik italian, RAI, mund të dëgjoje histori mbi statujat e Shën Mërisë që derdhin lot nëpër kisha. Ndodhte që edhe i besonin, apo ndoshta ka edhe sot nga ata që besojnë, pra që janë peng i bestytnive, dhe njëri prej tyre mund të jetë Xhorxho Kielini, kapiteni i kombëtares së Italisë. Përpara sesa lojtari i Anglisë, Bukajo Saka, të gjuante penalltinë e fundit në finalen e Europianit, Kielini u filmua nga kamerat duke shqiptuar një fjalë-mallkim “Kirikoço” (Kiricocho). Pas kësaj, Kielini u hodh përpjetë i gëzuar sepse Saka e humbi penalltinë. Nuk dihet nëse ishte diçka instinktive që njerëzit e bëjnë të nxitur nga nevoja e momentit, apo vërtet 36-vjeçari besonte se mallkimi mund të kishte efekt, ndërsa në rastin e dytë më mirë t’i vendosnim për të dëgjuar këngën shqiptare për fëmije, “macja le të lahet, prapë do të thahet”. Kirikoço qenka një fjalë me origjinë amerikanolatine, argjentinase, e përdorur dikur nga një tifoz i Estudiantesit, me kuptimin “mallkuar qofsh”.

Sfidanti.al