Gazetat angleze kanë vetëm një titull: Ekipi ynë shkroi historinë!

Këto pamje mund të jenë bërë të zakonshme, por nuk do të harrohen lehtë. Është festimi i tifozëve anglezë për kualifikimin historik të kombëtares së tyre, për herë të parë në një finale Europiani. Në Londër, Mançester, Liverpul, Birmingam apo çdo qytet tjetër në ishull, të gjithë ishin pa frena, emocionet të shfrenuara, ndërsa birra padyshim është derdhur lumë, pa pyetur për asnjë masë kufizuese ndaj Kovidit. Një mbrëmje e tillë merr leje për gjithçka. Historike edhe për kapitenin Harri Kejn.

“Ishte një mbrëmje e madhe, – tha ai, – “Uembli” ishte i pabesueshëm. Ndihem krenar si kapiteni i parë i Anglisë në një finale Europiani. Mendoj se e merituam për lojën që zhvilluam. Gjithçka kishte të bënte me karakterin. Sa për penalltinë, në atë moment unë mendova se ishte penallti. Gjithsesi, unë duhej të kisha marrë penallti në pjesën e dytë”.

Jehona mediatike pushtoi çdo kopertinë gazete. Për “Tajmsin” e Londrës, Anglia bëri histori. E përditshmja e vjetër thekson se futbollistët arritën në finalen e parë që nga vit 1966, në prani të 66 000 tifozëve. Tani, finalja me Italinë. “Gardian” nuk harron të përsërisë së Anglia vazhdon të ëndërrojë! Tani na pret finalja, për herë të parë që nga viti 1966, ndërsa në foto është festimi pas golit të Harri Kejnit.

“Deili Telegraf” ka në foto lojtarët anglezë të mbledhur “kala dibrançe”, duke i quajtur “djemtë e historisë”! Ja edhe “Indipendent”: Krijuesit e historisë! Fitorja në kohën shtesë e kalon Anglinë në finale për herë të parë që nga viti 1966! Kopertina e gazetës nuk pati vend për ndonjë lajm tjetër!

Francezja “L’Ekip” bën lojë fjalësh duke shkruar “Hepi Kejn”, pra “Kejni i lumtur”, ndërsa kapiteni i Anglisë e ka emrin Herri Kejn! E përditshmja theksoi se penalltia për anglezët ishte e dyshimtë!

Gjithsesi, frymë tjetër nga tabloidi danez, “Ekstra Bladet”, që përcjell komentet e disa ish-gjyqtarëve që thotë se Anglisë nuk i duhej dhënë penallti në këtë ndeshje: Penalltia ishte gabim!

Përtej polemikave për penalltinë, pati edhe momente të tjera për t’u harruar. i pari që në fillim, kur një pjesë e 58 000 tifozëve anglezë në “Uembli” vërshëllyen himnin e Danimarkës, siç bënë më parë për himnin skocez. Po ashtu, policia vendosi të hapte hetim ndërsa dolën foto ku shihej se një tifoz lëshoi rreze lazer në fytyrën e portierit danez, Shmajkel, në momentin e penalltisë vendimtare.

Sfidanti.al