Çmenduria me biletat në Europian, deri në 1400 paund gjysmëfinalja, deri 3 000 paundë finalja!

Edhe pse janë lejuar deri në 60 000 kjo nuk ka ndihmuar. Ose ndoshta po të kishim kapacitet më të vogël, çmenduria do të ishte më e madhe, veçse gjendja me biletat në Euro 2020 nuk është aspak normale. Mediat britanike njoftojnë se tifozët po përballen me çmime tepër të kripura në agjencitë onlajn, që i shesin ato si dorë e dytë. Nëse çmimi fillestar i biletave më të lira ishte 73 paundë stërlina, tashmë më të shtrenjtat kanë arritur në 1 400 paundë stërlina, që do të thotë 20 herë më shumë.

Kjo është kostoja e tifozëve anglezë, por edhe e të tjerëve, për të parë gjysmëfinalen e Kampionatit Europian, Angli-Danimarkë, në stadiumin “Uembli” të Londrës. Padyshim që shumë shtrenjtë janë edhe biletat për gjysmëfinalen tjetër mes Italisë e Spanjës, gjithashtu në “Uembli”. Edhe më e rëndë situata për finalen, ndonëse duhet edhe një javë deri sa të luhet. Informacioni është që biletat më të shtrenjta kanë arritur çmimin 3 000 paundë stërlina. Të gjitha ndeshjet e mbetura në Europian do të luhen në “Uembli”.

Sfidanti.al