Ish-Miss Gjermania lë pasarelat dhe bëhet boksere profesioniste

Tatjana Genrich është gati të bëjë një ndryshim të jashtëzakonshëm në karrierën e saj. Ish-Miss Gjermania do të lërë përkohësisht pasarelat dhe botën e modës për të debutuar si boksere profesioniste në moshën 33-vjeçare. Genrich u kurorëzua Miss Gjermania në vitin 2022, ndërsa tashmë ka vendosur t’i rikthehet sportit që e ka shoqëruar që në adoleshencë. Ajo do të ngjitet në ring më 14 nëntor, në një event të organizuar nga SES Boxing në një arenë me kapacitet rreth 12 mijë spektatorë në Magdeburg. Kundërshtarja e saj ende nuk është bërë e ditur.

Pavarësisht se karriera e saj është lidhur kryesisht me modelingun dhe konkurset e bukurisë, Genrich ka një të kaluar në boksin amator. Në adoleshencë ajo u shpall kampione e landit, ndërsa tani synon të nisë një kapitull të ri si profesioniste. Dashuria për boksin lindi edhe nga një përvojë personale. “Në shkollë shpesh më ngacmonin dhe doja të gjeja një mënyrë për të mbrojtur veten. Kështu filloi gjithçka”, ka treguar ajo.

Në këndin e saj do të jetë trajneri me përvojë Dirk Dzemski, 54 vjeç, i cili ka punuar më parë me kampionin botëror gjerman Robert Stieglitz, që fitoi tituj botërorë në kategoritë super të mesme dhe gjysmë të rënda. Genrich ka një tjetër objektiv përtej rezultateve sportive. Ajo dëshiron të shërbejë si shembull për vajzat e reja dhe të tregojë se karriera në sport mund të ndërthuret me sukses me atë në fusha të tjera. “Dua të jem një model për vajzat e reja dhe t’u tregoj se mund të jesh e suksesshme si në karrierë, ashtu edhe në sport”, është shprehur ajo.

Promotorët e SES Boxing besojnë shumë tek 33-vjeçarja dhe e kanë krahasuar me ish-kampionen e botës Regina Halmich. Me më shumë se 44 mijë ndjekës në Instagram dhe me videot e stërvitjeve që ka publikuar, Genrich tashmë ka tërhequr vëmendjen. Nëse debutimi i saj më 14 nëntor rezulton pozitiv, viti 2027 mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri në karrierën e saj.