Martinez-Mançini, 8 vjet më parë spanjolli e mundi në Kupën e Anglisë!

Ishte një nga të papriturat më të mëdha të garës më të vjetër të futbollit në botë. Kupa e Anglisë njihet për “bombat” e saj, por ajo që ndodhi në finalen e vitit 2013 kaloi shumë parashikime. Mançester Siti ishte favorit, si ish-kampion i Anglisë, ndërsa Uigan Athletik ishte ekipi që po shkonte drejt kategorisë së dytë, por kjo nuk i pengoi të besuarit e trajnerit Roberto Martinez që të fitonin 1-0. Goli u shënua në minutën e parë shtesë, nga zëvendësuesi Ben Uatson, që kishte vetëm 10 minuta në fushën e lojës. Në stolin e Sitit ishte Roberto Mançini, trajneri që doli kampion i Anglisë në 2012, dhe që kishte në fushë të tillë si Karlos Tevez, Kun Aguero, Samir Nasri, Jaja Ture, David Silva, Vinsent Kompani, apo Edin Xheko.

“Askush nuk priste që Uigani ta fitonte trofeun, – kujton sot Martinezi, – por, kjo është magjia e Kupës së Anglisë. Në një turne të tillë mund të ndodhë gjithça, edhe në Kampionatin Europian po ashtu, dhe kjo po ndodh”. Gjithsesi, Martinezi thotë se ka shumë respekt për Italinë dhe për Mançinin. “Bashkë me Belgjikën, Italia është më e mira e Europianit duke përfshirë edhe eleminatoret, fatkeqësi që ndeshemi në çerekfinale. Italia është ekip i madh, me individë të shkëlqyer, duket dora e Mançinit, një trajner shumë i mirë, shumë i zoti taktikisht”.

Sfidanti.al