NBA, Miluoki tregoi se është për kampion, fitoi pa Antetokumbon

Kur basketbollisti më elegant dhe më atletik sot për sot në arenat amerikane të koshit u rrëzua keq duke peshuar në njërën këmbë, tifozët e ekipit të tij mendun se “kaq e pat”. Janis Antetokumbo dëmtoi gjurin, lëshoi një britmë dhimbjeje dhe doli nga fusha, ndërsa Miluoki u shkatërrua më pas nga Atlanta me një rezultat 130-103. Përpara mediave doli Kris Midëlton i cili i dha “gajret” shokëve të tij duke thënë se “edhe pa Janisin ne kemi ekip të aftë për të fituar”. Fjalët e tij dolën profetike dhe Miluoki triumfoi në fushën e tij pa Antetokumbon, duke mundur Atlantën 123-112 dhe duke marrë kryesimin 3-2 në serinë finale të Konferencës Lindore. Ekipi nga Uiskonsini është vetëm një fitore larg titullit në Konferencë dhe finales së madhe të NBA-së.

Bobi Portis u vlerësua shumë për 22 pikët e tij, si dhe 8 topa në tabela, 3 asistët e 3 vjedhjet e topit, ndërsa ai zëvendësoi Antetokumbon në formacion. Bruk Lopez pati 33 pikë e 7 topa në tabela, Midëlton 26 pikë, 13 topa në tabela e 8 asistë, Holidei shtoi 25 pikë, 6 topa në tabela e 13 asistë. Atlanta pati problemet e veta pasi as ylli i saj kryesor, Trej Jang, nuk luajti në këtë ndeshje. Bogdan Bogdanoviç ishte më i miri me 28 pikë, por shokët e tij nuk i dhanë ndihmën e nevojshme.

Sfidanti.al