Nuk kanë kaluar shumë kohë nga fitorja e fundit, vetëm 5 vjet, madje kjo ndodhi në Berlin, por gjithsesi kur vjen puna tek turnetë e mëdhenj, situata është e ndryshme. Thuajse gjithmonë ka qenë Gjermania që ia ka dalë ndaj Anglisë, dhe në ishull dyshojnë nëse këtë herë do të jetë ndryshe. Dy skuadrat pëërballen në “Uembli” në raundin e dytë në Euro 2020.
Fitorja e vetme angleze, me vlerë kualifikimi, ishte në finalen e Kupës së Botës 1966, 4-2 po në “Uembli” me golin “fantazmë” të Xhef Hërstit në kohën shtesë për 3-2. Pas asaj, dy ekipet u ndeshën në çerekfinalet e Kupës së Botës 1970 në Meksikë dhe Gjermania Perëndimore e atëhershme fitoi me përmbysje 3-2. Në 1972, u përballën në çerekfinalet e Europianit, me gjermanët që fituan 3-1 në Londër, dhe ndeshja e kthimit që doli barazim 0-0.
Në 1982 u ndeshën në grupin çerekfinale në Kupën e Botës në Spanjë, me përballjen që përfundoi 0-0, por me gjermanoperëndimorët që vazhduan përpara sepse fituan 2-1 ndaj Spanjës, ndërsa Anglia barazoi 0-0 me vendasit. Dramat më të mëdha ishin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 1990 në Itali, dhe gjermanët kaluan pas penalltive sepse 120 minuta dolën 1-1. Drama tjetër maksimale në gjysmëfinalen e Euro 1996 në “Uembli”, ku 120 minutat dolën sërish 1-1 dhe penalltitë u “buzëqeshën” gjermanëve.
Në Euro 2000, anglezët arritën fitore e vetme në një fazë finale, 1-0 ndaj Gjermanisë në grup, por që të dyja skuadrat u eleminuan. Anglezët arritën një fitore të madhe 5-1 në Mynih në eleminatoret e Kupës së Botës 2002 (pas 1-0 të gjermanëve në Angli), por Gjermania u kualifikua, ashtu si Anglia, dhe arriti finalen e Botërorit. Në Kupën e Botës 2010, në raundin e dytë, u kualifikua Gjermania me fitoren 4-1, ndonëse anglezët patën pretendim të drejtë për mosdhënien e golit të Frenk Lampardit.
Bilanci në fazat finale: 2 fitore Anglia, 4 barazime, 3 fitore Gjermania, kualifikimet: 1-6.
Bilanci total: 13 fitore Anglia, 4 barazime, 15 fitore Gjermania, golat: 51-42
Sfidanti.al