Mos e nënvleftësoni nëse nuk doni të ndëshkoheni. Ky ishte paralajmërimi i legjendës Lotar Mateus përpara nisjes së Kampionatit Europian dhe Gjermania i dha të drejtë, edhe pse vetëm në ndeshjen e dytë. Nuk dihet mirë nëse ishte kjo skuadra e vërtetë “teutone”, apo e ndihmoi edhe bilanci përgjithësisht pozitiv, por suksesi 4-2 ndaj Portugalisë bëri përshtypje në të gjithë kontinentin. Katër herë kampionët e botës dhe tri herë kampionët e Europës merituan gjithçka duke luajtur më mirë nga fillimi deri në fund, edhe pse një kundërsulm ndihmoi Portugalinë të kalonte në avantazh me Kristiano Ronaldon.
Deri në atë kohë kishte dominuar ekipi i trajnerit Joakim Lëv, që nuk kishte qenë i qartë para portës, por këtë qartësi e gjeti pa u vonuar shumë. Në një reagim prej pretendentësh për titull, gjermanët shënuan 4 herë në 25 minuta, në pjesën e parë më dy autogola të Ruben Diasit dhe Rafael Gerreros, dhe pas pushimit me golat e Kai Havercit e Robin Gosensit. Sërish Lëv eksperimentoi pa një numër 9 të vërtetë, një stil disi si Guardiola dikur tek Barcelona, dhe më në fund i doli me sukses.
Haverc e Tomas Myler ndihmuan sulmuesin Gnabri, ndërsa Kimih, Gyndogan, Kros e Gosens mbajtën fort mesfushën. Mbrojtja me Ginterin, Humelsin e Rydigerin nuk u duk aq e pakalueshme, por gjermanët thanë “rroftë sulmi”. Me 3 pikë në dy ndeshje, ata janë baraz ndaj Portugalisë, por me epërsi në ndeshjen direkte, ndërsa Franca kryeson me 4 pikë, veçse do të duhet të kalojë edhe ajo provën portugeze.
Sfidanti.al