Ç’ndodh mes Xhenaro Gatuzos dhe Fiorentinës? Po ndahen kaq shpejt?

Kontrata e firmosur është 2-vjeçare dhe tifozët “vjollcë” ishin të lumtur që ai do të drejtonte skuadrën. Një sezon tepër i vështirë u mbyll dhe shpresa ishte që me Xhenaro Gatuzon, Fiorentina të ngrinte kokë e të synonte pjesën e sipërme të tabelës në Serinë A. Mesa duket nuk do të jetë kështu. “La Gazeta delo Sport” njofton se Gatuzo është përplasur me drejtuesit në një debat të ashpër mes të martës e së mërkurës. “Molla e sherrit” ishte çështja e përforcimeve të skuadrës, me dy lojtarë që priteshin të merreshin, si Serzhio Oliveira dhe Gedes, madje në Itali kishte ardhur agjenti i tyre, Zhorge Mendes, njëkohësisht agjent i Ronaldos. Fiorentina kërkoi kohë, e pakënaqur për 20 milionë eurot që kërkonte Porto për Oliveirën, dhe për moshën e këtij të fundit. Kjo siç duket nuk i pëlqeu Gatuzos që është përplasur me drejtuesit dhe vetëm ndonjë mrekulli mund të shërojë “plagën”.

Sfidanti.al