Reali lajmëron ikjen e Ramosit, një epokë mbyllet në Madrid

Nuk është i pari që kalon këtë “kalvar”. Alfredo Di Stefano u largua në formë proteste tek Espanjoli në 1964, edhe pse ishte dhe mbetet lojtari më i madh i Realit të Madridit. Edhe Raul Gonzalesi, rekordmeni i ri pas Di Stefanos i luajti në “emigracion” fillimisht tek Shalke e pastaj në Lindjen e Mesme. Së fundmi, Kristiano Ronaldo u largua pa ceremoni për tek Juventusi, ndonëse ishte dhe mbetet rekordmeni i golave në “Bernabeu”.

Nuk është pra diçka e pazakonshme që Sergio Ramos largohet nga Reali. Klubi madrilen njoftoi zyrtarisht se kapiteni nuk do të ketë rinovim kontratë, ndërsa palët nuk ranë dakord. Ramosi 35-vjeçar kërkoi 2 vjet kontratë me të njëjtën rrogë si më parë, presidenti Perez i ofroi 1 vit dhe me ulje 10 për qind, siç ai planifikon të bëjë për të gjithë lojtarët për shkak të krizës ekonomike të koronavirusit.

Nga “Bernabeu” largohet kapiteni, qendërmbrojtësi legjendar që fitoi 18 trofe të mëdhenj në 16 vjet, përfshi 5 tituj kampion dhe 4 Champions, duke shënuar gol vendimtar në finalen e vitit 2014 ndaj Atletikos, në minutën e 93-të duke barazuar e duke hapur rrugën për “La Decima”-n. Tashmë, kapiteni do të gjejë një skuadër tjetër dhe do të ketë një “ankand” për shërbimet e tij! ADIOS CAPITAN!

Sfidanti.al