Sa e kaltër kjo Itali! Djemtë e Mançinit në turin e dytë sërish me 3-0!

Nuk ka yje kaq të mëdhenj sa dikur? Pa problem! Kapiteni Kielini u dëmtua dhe doli jashtë, ndërsa nuk janë të tillë si Verrati apo Zaniolo? E përballojmë edhe këtë, edhe kur dëmtohet Sensi pa ardhur Europiani dhe kur Barela merr një goditje të fortë gjatë ndeshjes! Italia sot nuk ka thjesht një pikë referimi, siç Argjentina ka Mesin apo ndoshta Portugalia ka Kristiano Ronaldon! Italia ka një grup të bashkuar lojtarësh, i cili u bë i pari që kaloi në fazën e dytë të Europianit.

Fitorja 3-0 me Zvicrën erdhi pas 3-0 ndaj Turqisë, dhe tregoi se italianët nuk patën ndonjë favor të madh në sfidën e parë për shkak të dobësisë së turqve. Fitoret u arritën falë zotësisë së të kaltërve. Manuel Lokateli, një djalosh 23-vjeçar që luan për një skuadër modeste si Sasuolo, ishte heroi me dy gola. Mesfushori me tipare mbrojtëse ka karton që vlen 35 milionë euro dhe pritet të kalojë në një skuadër të madhe. Çiro Imobile i Lacios shënoi një tjetër gol, ashtu siç bëri me Turqinë. Italia ka dy fitore në 2 ndeshje dhe golaverazhin 6-0, ndërsa pret ndeshjen e fundit me Uellsin. Të shohim se sa “do t’u vlejë lëkura” të kaltërve kur të ndeshjen me ekipet më të fortë të Europianit si me Francën apo Portugalinë, Belgjikën apo Anglinë.

Sfidanti.al