Myrto Uzuni i jep drejtim për Europianin: Do të jem tifoz me Hungarinë!

Ai vetë nuk do të jetë në sofrën e madhe. Shqipëria nuk u kualifikua për në finalet e Kampionatit Europian të futbollit, dhe Myrto Uzuni ka vendosur të zgjedhë një tjetër skuadër të zemrës, të paktën për një verë të vetme. Sulmuesi që luan në Superligën hungareze me Ferencvaroshin, do të mbështesë pikërisht kombëtaren e Hungarisë. Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, së cilës i bën jehonë e përditshmja kryesore e Budapestit, “Nemzeti Sport”, lojtari 25-vjeçar thekson se zgjedhja e tij për Hungarinë ishte e lehtë dhe logjike.

“Unë luaj këtu, – shprehet beratasi, – Shqipëria ime nuk është në finale, kështu që jam me Hungarinë. Disa nga shokët e mi tek Ferencvaroshi luajnë në kombëtaren hungareze, dhe kjo është një arsye më shumë”. Hungaria ndodhet në një grup tepër të vështirë, në grupin e hekurt, bashkë me Francën kampione të Botës, Gjermaninë dhe Portugalinë kampione të Europës dhe pritet të mos kualifikohet, por Uzuni thotë se me karakter dhe lojë kolektive mund t’ia dalë.

Vetë sulmuesi shqiptar ka nisur fazën përgatitore me Ferencvaroshin, nën drejtimin e trajnerit të ri, austriakut Peter Shtëger. Ai e ka kaluar dëmtimin që e la edhe jashtë kombëtares për miqësoret ndaj Uellsit dhe Çekisë dhe po stërvitet normalisht. Sezonin e kaluar ai u zgjodh lojtari më i mirë i Ferencvaroshit, duke shënuar 15 gola e shërbyer 6 asistë, si dhe u përfshi në formacionin më të mirë të vitit të Superligës së Hungarisë.

Sfidanti.al