Broja një hap më pranë Çelsit, trajneri Tuhel do ta vëzhgojë në verë!

Tashmë është vetëm një hap larg. Armando Broja do ta ketë vetë në dorë fatin e tij, për të siguruar rikthimin tek Çelsi sezonin e ardhshëm, pasi trajneri Tomas Tuhel mori një vendim. Tekniku gjerman do ta ftojë sulmuesin e kombëtares shqiptare në fazën përgatitore të verës, për ta parë nga afër dhe për të vlerësuar në fund nëse do ta mbajë apo jo në skuadër. Çelsi fitoi Championsin, duke mundur Mançester Sitin në finalen e luajtur në Porto, por nga skuadra kampione e Europës pritet të ketë largime.

Sulmuesi Olivie Zhiru, edhe pse ka një vit tjetër kontratë me Blutë e Londrës, dëshiron një kalim tek Milani në Serinë A. Po ashtu, mund të ikin Tami Abraham e Miçi Baçuai. Kjo do të bënte që Tuheli të kishte nevojë për një sulmues tjetër për të plotësuar radhët, në një skuadër që do të luajë në katër fronte edicionin e ardhshëm, dhe që synon të fitojë Premier Ligën.

Broja shkëlqeu në Superligën e Holandës sezonin e kaluar, duke shënuar 10 gola e duke shërbyer 2 asistë për Viteshen. Shqiptari 19-vjeçar pati një meritë të madhe që Viteshe u kualifikua për në Ligën e Europës duke dalë në vend tëkatërt, dhe arriti në finalen e Kupës së Holandës, mundur vetëm nga Ajaksi. Ai ka kontratë me Çelsin dhe është i huazuar në Vendet e Ulëta, ndërsa Tuhel mund t’ia rinovojë akordin. Afrimi i Brojës nuk rrezikohet aspak nga fakti se kampionët e Europës duan të investojnë fuqishëm për të sjellë në Londër sulmuesin Erling Haland, njëri nga më të mirët e botës kohët e fundit.

Sfidanti.al