Kur CR7 ndikon më shumë se Lebroni në rrjetet sociale, do të thotë se bota nuk është gati!

Të kuptohemi, nuk është faji i popullsisë botërore, që ende jeton në ato nivele që janë larg kauzave për të cilat lufton superylli i NBA-së. Nëse do të shikosh se cili ka marrë “armët” për çështjet e të drejtave të njeriut, të klimës, të barazisë e të tjera si këto, janë të rrallë njerëzit që mund të krahasohen me Lebron Xhejmsin, apo edhe me figura të tjera të mëdha të sportit si Kopernik apo Megan Rapinou.

Gjithsesi, nëse hedh një vështrim në rrjetet sociale, zbulon se njeriu më i ndjekur në to është Kristiano Ronaldo, një futbollist i madh, fitues i vërtetë, por që nuk pasqyron kauza sociale, por qejfet e tij personale dhe familjare, një njeri i tifozëve, dhe i atyre qindra milionë banorëve të Tokës që janë duke dalë nga varfëria, dhe ëndrrat i kanë të gjitha me pasuri, flori, makina luksi, vila apo aeroplanë. Kristiano ka 517 milione ndjekës në total në të gjithë rrjetet sociale, ndërsa Lebroni ka 157 milionë. Edhe Lionel Mesi që ka 298 milionë ndjekës, nuk është ndonjë luftëtar për të drejtat, por respektohet më shumë si një besnik i Barcelonës. Ndër më të ndjekurit në botën tonë me halle, që nuk është e gjitha si Norvegjia apo Suedia, janë Xhastin Biber, Ariana Grande, Selena Gomez, Kejt Perri, Tejlër Suift apo Kajl Xhener. Të gjithë, përfaqësues të njerëzve të talentuar dhe me fat që kanë arritur në stratosferën e luksit duke u nisur nga nivelet e ulëta popullore. Ende mbetet një ëndërr për shumicën e botës, ndaj kemi këtë renditje.

Sfidanti.al