Xhoshua Kimih, një “rotvajler” i Bajernit dhe i Gjermanisë

Ka lindur pikërisht në qytetin Rotvajl (Rottweil) dhe mund t’i vihet me dashamirësi epiteti “rotvajler”, sikur të ishte një “qen besnik”, tepër familjar dhe i guximshëm. Flasim për Xhoshua Kimihun, yllin 26-vjeçar të Bajernit dhe të Gjermanisë, i cili ende nuk është bërë kapiten, por sillet si i tillë në fushë. Me largimin e të tillëve si Tomas Myler apo Manuel Nojer, me shumë gjasë do të jetë Kimih kapiteni i ardhshëm në të dyja skuadrat. Ai ngjan si veteran, pavarësisht moshës relativisht të re dhe ka dëshirë të japë shembullin e të udhëheqë. Në miqësoren ndaj Danimarkës ai i foli Leroi Sanesë duke e qortuar. “Ndershmërisht, nuk e vlerësoj si një konflikt, si një debat, – thotë mesfushori, – absolutisht jo. Ishte një situatë ku unë e ndjeva se ne duhej të bënim më shumë presion. Leroi bëri diçka tjetër, por gjithçka ishte për lojën. Nëse duam që të fitojmë, duhet të komunikojmë”. Me prejardhje nga një qytet që nuk ka ndryshuar aspak që nga shekulli i 16-të, edhe Kimih duket se mban fort vlerat që i quan të rëndësishme, ndërsa përqafon shprehjen e Sokratit, “më parë njih vetveten”.

Sfidanti.al