Çmenduria e Hamiltonit kompenson fatkeqësinë e Verstapenit

Në përfundim të garës në rrugët e Bakusë, fitues Sergio Perez i kërkoi falje shokut të tij tek skuadra e Red Bullit. Në përfundim të një Çmimi të Madh të çmendur në Azerbajxhan, piloti meksikan e preu i pari vijën e finishit, por dy ngjarjet e mëdha ishin të tjera. Së pari, çarja e gomës së Red Bullit të Maks Verstapenit, që po shkonte drejt fitores me 3 xhiro deri në fund, dhe pastaj gabimi i pabesueshëm i Ljuis Hamiltonit që ngatërroi rrugën duke humbur shansin për të fituar e për të dalë në krye të renditjes.

Gara rifilloi me start normal dhe Hamiltoni me Mercedesin e tij u duk se po e kalonte Red Bullin e Perezit, kur anglezi vazhdoi drejt, ndërsa itinerari vazhdonte në kthesën e parë majtas. Kampioni i botës përfundoi në vend të fundit dhe Verstapen mbajti vendin e parë në renditjen e përgjithshme të Botërorit me 105 pikë, ndaj 101 të rivalit të madh. Perez ka 69 pikë, po aq sa Lando Norris i Meklarenit, ndërsa Çmimi i Madh i Azerbajxhanit ishte një tjetër dështim për Ferrarin, edhe pse Sharl Leklerk kishte dalë i pari në provat zyrtare.

“I kërkoj falje Maksit sepse ai meritonte të fitonte sot, – tha Perezi, – do të ishte një fitore dyshe që do të vlente për skuadrën, por edhe kështu jam i lumtur. Ishim me fat që përfunduam garën”. “Gabimi im, – tha shkurt Hamiltoni në radio, – ja që ndodhi”.

Sfidanti.al