Pronari nuk i pëlqen sindikalistët, po e provon Ramosi në Madrid

Mediat angleze shkruajnë se Mançester Siti dhe Mançester Junajtid janë me “veshët ngritur”, ndërsa lajmet nga Spanja janë që kapiteni po bëhet gati të ikë nga Reali. Sergio Ramos është përplasur sërish me drejtuesit, konkretisht me presidentin Florentino Perez, dhe kjo për arsye se i ka dalë kundër planeve të klubit. Qendërmbrojtësi 35-vjeçar i ka kërkuar skuadrës të mos pranojë uljen e rrogave, që për momentin duhet të jetë 10 për qind, sepse gjykon se këto para do të përdoren që të vijë Kilian Mbape në “Bernabeu”. Ai e cilëson këtë një politikë të gabuar, dhe kjo nuk i ka pëlqyer Perezin. Një pronar multimiliarder nuk pëlqen sindikalistët në “oborrin” e tij dhe duket se Ramosi vërtet do të largohet. Kapiteni nuk u përfshi në videon që reklamonte fanelën e sezonit të ardhshëm, ndërsa do të përfundojë një epokë prej 16 sezonesh në Madrid.

Sfidanti.al