Tuhel firmos për 3 vjet, por a do t’ia kalojë Murinjos tek Çelsi?!

Është një gjë të nënshkruash një kontratë, dhe diçka tjetër të rezistosh për ta çuar atë deri në fund. Tomas Tuhel bëri hapin e dytë tek Çelsi, pas të parit që ishte caktimi në detyrë disa muaj më parë. Pronari Roman Abramoviç i dha shansin për kontratë deri në vitin 2024, dhe dokumentet u nënshkruan në prani të krahut të tij të djathtë, Marina Granovskajës. Mediat angleze menjëherë theksuan se nëse gjermani do të arrinte të mbijetonte deri në fund, ai do të thyente rekordin e Zhoze Murinjos si trajneri më jetëgjatë në stol në një periudhë të caktuar. Portugezi ishte nga viti 2004 deri në 2007, herën e dytë ishte nga 2014 deri në 2016, ndërsa Karlo Ançeloti e Antonio Konte po ashtu arritën deri në dy vjet. Tuhel fitoi Championsin, diçka që e bëri Roberto Di Mateo që më pas u shkarkua, Murinjo fitoi 3 tituj, Ançeloti e Konte nga një.

Sfidanti.al