Ka luajtur sezonin e jetës, veçse ndihet i keqardhur me veten. Rej Manaj është padyshim në kulmin e formës, por ende në moshën 24-vjeçare luan në kategorinë e tretë, ndonëse këtë e bën në Spanjë dhe me një fanelë të lavdishme si ajo e Barcelonës B. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ka folur për “La Gazeta delo Sportin” të Italisë, duke shprehur pendesën për shanset e shpërdoruara kur ishte adoleshent. Në një intervistë, së cilës i bëjnë jehonë edhe media në internet të tifozëve të Interit, Manaj kujton kohën kur u formua në Akademinë e Interit.
Shqiptari pranon se ishte euforik dhe jo serioz, ndonëse talenti i tij ra në sy që kur ishte tek Shpresat, pra tek Interi U21. Ai debutoi në Serinë A në 2015 dhe u cilësua si një e ardhme për zikaltërit, por mungesa e pjekurisë bëri që të gabonte dhe klubi italian e largoi. Karriera e tij u ringjall në Spanjë, por jo në La Liga, pasi Manaj u detyrua të luante në kategorinë e dytë për Albaseten, duke shënuar 6 gola në një sezon, në 2018-2019. Që nga fundi i atij edicioni, ai u afrua nga Barcelona B, madje u diskutua disa herë për të qenë pjesë e ekipit të parë katalanas, por kjo rezultoi e pamundur.
Këtë vit sportiv, Manaj shënoi gjysmën e golave të Barçës B, plot 14 rrjeta duke zhvilluar sezonin më të mirë në karrierë. Katalanasit e rinj nuk mundën të ngjiteshin në kategorinë e dytë, por me gjasë sulmuesi nga Lushnja mund të ketë oferta për të luajtur në nivele më të larta sesa ku ndodhet aktualisht. Për më tepër, ai e tregoi qartë klasin e tij, aq sa një gol i shënuar nga sulmuesi i kombëtares shqiptare u përzgjodh si më i bukuri i sezonit për Barcelonën B, dhe një nga më të bukurit në ligë. Kjo ndodhi në ndeshjen përcaktuese ndaj Mursias, kur katalanasit e rinj nuk siguruan dot ngjitjen në kategorinë e dytë, edhe pse Manajt i vunë epitetin “Nazario”, duke e krahasuar me Fenomenin brazilian, Ronaldo.
Sfidanti.al