Fjalët në rrjetet sociale i shkruajti Maurisio Del Kastijo, që është vëllai i sulmuesit (tashmë “ish”) të Mançester Sitit. “Guardiola nuk e ka dashur kurrë vëllanë tim që kur mbërriti tek Siti”, ishte statusi i tij në Tuiter, që ai e fshiu më pas, por pohoi se mund ta shkruante përsëri. “E fshiva sepse ka shumë njerëz “toksikë” që janë aktivë në rrjetet sociale, – theksoi vëllai i Kunit, – por, po qe se dua, e shkruaj përsëri”. Përpara finales së Championsit, tashmë të humbur nga Mançester Siti ndaj Çelsit, mediat britanike shkruajtën se Aguero ishte i hatërmbetur me trajnerin e tij sepse priste një propozim për ta vazhduar karrierën në “Etihad” të paktën edhe për një sezon. Në vend të kësaj, ai do të shkojë tek Barcelona e Lionel Mesit. Vetë Guardiola gjithnjë ka folur me superlativa për argjentinasin, ndonëse nuk është e fshehtë që fillimisht sulmuesi nuk përshtatej shumë mirë me skemat e katalanasit. Gjithsesi, Pep theksoi se një lojtar që shënon mbi 250 gola në 360 ndeshje dhe që ka fituar kaq shumë trofe është special. “Ne nuk e zëvendësojmë dot Agueron”, – ishin fjalët e trajnerit të Sitit.
Sfidanti.al