“Deili Meil” duket se e tepron: Kante, më i miri i huaj në historinë e Premierit!

Çfarë mund të themi për këtë krahasim, dhe këtë deklarim? Si mundet që një mesfushor me trup të vogël nga Franca, që nuk shënon shumë gola, dhe nuk ka teknikë të lartë, apo vizion loje për të asistuar shokët e skuadrës, të konsiderohet si më i miri i kampionatit anglez të paktën në 30 vitet e fundit? Tabloidi “Deili Meil” e bënë këtë “sakrilegj” duke e vendosur N’Golo Kantenë e Çelsit mbi Erik Kantonanë, Tieri Henrinë e Kristiano Ronaldon, madje duke e zgjeruar periudhën që kur nisën të vijnë të huaj në elitën e futbollit anglez! i tillë është gjykimi i gazetarit me përvojë, Martin Samuel.

Kante ishte lojtari i ndeshjes në finalen e Championsit ndaj Mançester Sitit, po ashtu ai ishte lojtari i ndeshjes në të dyja gjysmëfinalet kundër Realit të Madridit. Përballë Sitit, ai fitoi 100 për qind të ndërhyrjeve për top (tackle), madje pa bërë asnjë ndërhyrje të gabuar. Në 2016, ai ishte pjesë integrale e Leisterit që fitoi titullin e parë dhe të vetëm kampion në Angli, dhe ky mund të quhet suksesi i tij më i madh. Atë verë kaloi tek Çelsi dhe sërish fitoi titullin në 2017 me Antonio Konten, i pari që ia del për 2 vjet radhazi me dy ekipe të ndryshëm, që nga Erik Kantona në 1992 e 1993 me Lidsin e Man. Junajtidin.

Ai doli kampion i botës me Francën në 2018 në Rusi, fitoi Ligën e Europës me Çelsin në 2019 dhe tani Championsin, ndërsa me Blutë e Londrës ka fituar Kupën e Anglisë. Këtë gjë e realizoi me 5 trajnerë të ndryshëm, duke mos e patur problem se kush ishte në stol. Pas fitores në Porto, yjet e Çelsit po festonin si të çmendur në dhomën e zhveshjes, ndërsa Kante nuk ishte fare aty, ndoshta po ndihmonte punëtorët e klubit të ngarkonin “plaçkat” në autobusin e ekipit. Në fund, ai mori një përqafim të madh nga mamaja, duke fituar më shumë pikë në publik sesa futbollistët e tjerë që “u shkrinë” me gratë e të dashurat.

Sfidanti.al