Këtë të diel nuk luajti sepse trajneri Pirlo i tha se ishte lodhur shumë me 5 ndeshje në 15 ditë, e fundit finalja e Kupës së Italisë ndaj Atalantës. Kristiano Ronaldo nuk u duk aspak i lumtur në stol (në foto), por fitorja 4-1 e Juventusit në fushën e Bolonjës sikur tregoi se basti i Pirlos doli me fitim dhe se ish-kampionët luajtën më mirë pa golshënuesin e tyre kryesor. E ardhmja e Ronaldos është e rrethuar nga shumë spekullime, pra nëse do të shkojë tek Paris SG apo Mançester Junajtidi, apo do të qendrojë edhe sezonin tjetër në Torino, aq sa ka kontratën. Drejtuesi Paratiçi deklaroi se “edhe Ronaldo, edhe Pirlo do të vazhdojnë me ne”, ndonëse as e ardhmja e trajnerit nuk është e sigurt pavarësisht nga kualifikimi për në Champions. Klubi piemontez mund të tundohet për të përfituar nga kartoni i CR7-ës, ndoshta 30 milionë euro, si dhe do të kursente 31 milionë euro në sezon të rrogës. Jo pak para në këto kohë që po jetojmë.
Sfidanti.al