Sezoni ishte padyshim shumë i mirë. Etrit Berisha e tregoi veten edhe në Serinë B të Italisë, një kampionat aspak i lehtë sidomos për një portier. Gardiani i kombëtares shqiptare mori një vlerësim të lartë për lojën që zhvilloi me Spalin e Ferrarës, dhe pritet të luajë sezonin e ardhshëm në Serinë A, pasi ofertat me shumë gjasë nuk do të mungojnë. Berisha, 32-vjeçar pati kulme duke pritur tri penallti ndaj Monzës, Rexhinës e Salernitanës, e duke pasur tani 10 penallti të pritura në karrierë, padyshim një nga portierët më të mirë në botë. Për paraqitjet e tij me Spalin, dy herë është vlerësuar me notën 7.5, dy herë ka marrë notën 7, dhe 8 herë ka merituar notën 6.5.
Ky vlerësim tregon se portieri shqiptar ka qenë një nga lojtarët më të mirë të Spalit, për të mos thënë më i miri, ndërsa skuadra e Ferrarës nuk hyri dot në plej ofin për në Serinë A vetëm për një pikë. Sezoni nuk ishte i lehtë. Ai humbi 12 ndeshje për shkak të Kovidit, të dëmtimeve dhe të angazhimit me kombëtaren. Gjithsesi, kjo nuk e pengoi të shkëlqente dhe pritet që të kthehet në Serinë A, aty ku ka qenë për 7 sezone duke nisur nga viti 2013, ndërsa ka luajtur për Lacion, Atalantën dhe Spalin.
Sfidanti.al