Sezoni është pranë fundit dhe mund të bëhet një bilanc. Nuk ka përjashtim as për Marash Kumbullën, mbrojtësin tashmë 21-vjeçar të kombëtares së Shqipërisë dhe të Romës, që bën një bashkëbisedim rrufe me tifozët, në profilin e tij në Instagram.
I pyetur se cila ishte ndeshja më emocionuese, nuk pati dyshime. “Ajo ndaj Milanit kur shënova golin për 3-3”. Kumbulla realizoi pranë fundit të ndeshjes së fazës së parë të Serisë A në “San Siro”.
Cili është objektivi i radhës me Romën? “Të shënoj një tjetër gol”.
Meqë jemi te golat, Kumbulla u ngacmua se ç’mendoi pas golit të parë të shënuar? Pas golit të parë që kam shënuar kam menduar vetëm të festoj me shokët”.
Pyetja e radhës: Lojtari me të cilin ke dashur të ndërrosh fanelën, pa ia dalë? “Me Ibrahimoviçin”.
Ngacmimi tjetër: Kundër kujt do të kishe dëshirë të luaje? “Kundër Barcelonës”, – thotë Marashi.
I pyetur se cili është idhulli i tij, ai përgjigjet shkurt: “Kielini”.
“Kush e bën të qeshh e të qajë? “E dashura ime”, – thotë shqiptari i lindur në Itali.
Cila është ëndrra më e madhe e Kumbullës? Përgjigja: “Të luaj një fazë finale me kombëtaren time”. Së fundi, si ishte kur debutove në kombëtare? “E bukur, por edhe shumë e vështirë, pasi kisha shumë emocione”. Kumbulla ka luajtur 4 ndeshje për kombëtaren, ndërsa është penguar jo pak nga dëmtimet dhe Kovid 19.
Sfidanti.al