Ronaldo arrin 100 gola me Juven, pranë Platinisë e Çarlsit!

Do të kritikohet padyshim, por gjithsesi do të mbetet i veçantë për atë që ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë deri në fund. Kristiano Ronaldo ka një mentalitet tepër të fortë profesionisti, siç e theksoi edhe legjenda e stolit Sër Aleks Ferguson, dhe ky mentalitet po e shtyn drejt rekordeve të reja. Portugezi arriti në 100 gola për Juventusin në fitoren 3-1 në fushën e Sasuolos, duke arritur në shënim me 3 shifra, ashtu si tek Mançester Junajtidi e Reali i Madridit. Në “Old Traford” pati 118 rrjeta, ndërsa në “Bernabeu” arriti kulmin me 450. Në shumë pak ndeshje është në një nivel me Paulo Dibalën, ndërsa është vetëm 4 gola larg Mishel Platinisë, 8 gola prapa Xhon Çarlsit, dhe 15 gola më pak se Roberto Baxho. Vlen të theksohet se Ronaldo ka mesataren më të mirë “gol për ndeshje” me Juventusin (0.76), pasi 100 golat i ka arritur në 131 ndeshje. i vetmi që matet me të është legjenda uellsiane Çarls me mesatare 0.7 gola për ndeshje, ndërsa më pas vijnë Baxho apo Platini.

Renditja

Kristiano Ronaldo, 131 ndeshje, 100 gola, 0.76 gola/ndeshje

Xhon Çarls, 155 ndeshje, 108 gola, 0.7 gola/ndeshje

Roberto Baxho, 200 ndeshje, 115 gola, 0.58 gola/ndeshje

Mishel Platini, 222 ndeshje, 104 gola, 0.47 gola/ndeshje

Paulo Dibala, 252 ndeshje, 100 gola, 0.4 gola/ndeshje

Sfidanti.al