Milani çmendet sërish në Torino, Juventusi ende jashtë Championsit

Pati disa rezultate për t’u theksuar në këtë mesjavë të Serisë A, ku skuadra e trajnerit Stefano Pioli tregoi se është bërë me krahë pas fitores në fushën e ish-kampionëve. U luajt ndeshja e dytë në pak ditë në kryeqendrën e Piemontit, këtë herë në stadiumin e Torinos pas suksesit të madh 3-0 në atë të Juventusit. Doli një 7-0 për kuqezinjtë që nuk patën nevojë për Zllatan Ibrahimoviçin që mungoi për shkak dëmtimi. Ante Rebiç shënoi 3 gola, Teo Hernandez realizoi dy herë, Frank Kesi (me penallti) dhe Brahim Diaz ishin autorët e tjerë. Milani mbetet në vend të tretë me po aq pikë sa Atalanta, 75, ndërsa bergamaskët fituan 2-0 në fushën e tyre me Beneventon.

Juventusi la pas disfatën me Milanin duke fituar 3-1 një sfidë jo edhe aq të lehtë në fushën e Sasuolos, ku Kristiano Ronaldo u kthye te goli, ashtu si edhe Paulo Dibala. Të parin e shënoi Rabio. Ish-kampionët janë ende në vend të pestë, pasi edhe Napoli fitoi një ditë më parë, 5-1 ndaj Udinezes. Interi nuk e pati problem duelin e vështirë me Romën në “San Siro” duke triumfuar 3-1 me gola të shënuar nga Brozoviç, Vesino dhe Lukaku. Marash Kumbulla ishte në fushë dhe mori një karton të verdhë në 71’.

Java 36: Inter-Roma 2-1, Atalanta-Benevento 2-0, Torino-Milan 0-7, Sasuolo-Juventus 1-3, Lacio-Parma 1-0, Bolonja-Xhenoa 0-2, Sampdoria-Specia 2-2, Kaljari-Fiorentina 0-0. Të martën: Napoli-Udineze 5-1. Nesër: Krotone-Verona 20:45.

Renditja: Inter 88 pikë, Atalanta 75, Milan 75, Napoli 73, Juventus 72, Lacio 67, Roma 58 … Torino, Specia 35, Benevento 31, Parma 21, Krotone 18.

Sfidanti.al