Nuk ndodh çdo ditë të fitosh 3-0 jashtë fushe, qoftë edhe në Lens, por kjo skuadër duket se nuk ndalet para asgjëje. Nuk është shumë e qartë nga e merr fuqinë dhe frymëzimin Lila që shkon nga triumfi në triumf, dhe fitoi bindshëm dhe me shprehje të qartë fuqie edhe në fushën e Paris SG dhe të Lionit. Një penallti e minutës së 4-ët shënuar nga Burak Jilmaz, pastaj një gol gjithashtu nga Jilmaz në 40’ bënë që Lila të kryesonte 2-0 në pushim. Zhonatan David shënoi golin e tretë në 60’, ndërsa Lensi kishte mbetur me 10 lojtarë që në 35’, pasi doli me të kuqe Klement Mishlen.
Burak Jilmazi ishte lojtari më i mirë i ndeshjes, duke merituar notën 8 nga “L’Ekip” (ka 15 gola në ligë këtë sezon), por i gjithë ekipi luajti shumë mirë dhe arriti një fitore vërtet të lavdishme, që tregon shumë sesi mund të jetë fundi i sezonit. Lila po shkon drejt titullit në festë, dhe siç thuhet “me këngë në gojë”! Lila ka 13 ndeshje radhazi që nuk humbet në Ligën e Parë të Francës, dhe kjo është seria më e gjatë në historinë e klubit. Ajo është në krye të Ligës së Parë me 79 pikë në 36 ndeshje, ndërsa Paris SG ka 75 në 35 ndeshje.
Sfidanti.al