Tekniku i Mançester Sitit ishte i lehtësuar më në fund pasi arriti finalen e parë në kaq vjet. “Kjo ishte për të gjithë ne, për klubin, – tha trajneri, – jam jashtëzakonisht krenar dhe falenderimin më të madh e kam për lojtarët që nuk luajtën sot. Ata e meritonin të luanin, gjithsecili dha kontribut ndaj le të gëzohemi tani. Ne duhet të fitojmë titullin në Angli dhe kemi 2-3 javë për t’u përgatitur për finalen. PSG pati shumë forca në mesfushë në pjesën e parë dhe ne e patëm të vështirë, ne ndryshuam pas pushimit. Është gjë e madhe që ne eleminuam një skuadër që mundi Barcelonën dhe Bajernin. PSG është rival i madh, por ne nuk e humbëm toruan. Kjo finale është për të gjitha ato që kemi hequr këta 4-5 vjet. Championsi është një garë kaq e vështirë”.
Katalanasi u desh të priste shumë për t’u kthyer aty ku mendohej se do të ishte gjithmonë. Për gjithë madhështinë e tij, dhe futbollin e pakrahasueshëm që luajnë skuadrat e tij, Guardiola kishte 10 vjet pa finalen e Championsit, po aq priti Udo Latek, tekniku gjerman që ishte në finale në 1977 e 1987, fillimisht me Mynshengladbahun e pastaj me Bajernin për t’i humbur që të dyja ndaj Liverpulit e Portos. Rekordmenë të pritjes janë Luis Van Gal e Jup Hajnkes, me nga 14 vjet, i pari në vitet 1996-2010 dhe i dyti në 1998-2012.
Sfidanti.al