Kapelo: Murinjo e njeh Italinë, por Roma është vend i vështirë!

Nuk është se është pritur me entuziazëm të madh nga njohësit e futbollit në Apenine, akordi i arritur mes Romës e Zhoze Murinjos. Kjo, jo vetëm për konfliktet e tij në 2009 e 2010 me Klaudio Ranierin apo Luçiano Spaletin, apo për talljen e tij se “Roma ka zero tituj”, ndërsa fitonte trofe me Interin. Ish-trajneri i Milanit, Romës, Realit, Anglisë e Rusisë, Fabio Kapelo, deklaron se Murinjo e njeh mirë Italinë dhe ky është një avantazh, por Roma është një klub i vështirë. “Nuk është e lehtë të arrish sukses në Romë, – u shpreh Kapelo, – duhet të kesh edhe lojtarë të mirë”. Vetë Kapelo doli kampion me Romën në 2001, por duke pasur yje në ekip si Totin, Batistutën, Kafu, Aldair, Zebina, Samuel, Kandela, Tomazi, Montela, Balbo e Delvekio. Një gjykim më të “hidhur” për portugezin e dha ish-drejtuesi i Juventusit, Luçiano Moxhi. “Murinjo nuk është më ai i pari”, – ishin fjalët e ish-drejtorit të Partizanit në Tiranë.

Sfidanti.al