Nuk është parë në botën e futbollit, të paktën kështu beson në krahasimin e saj media e oborrit të “mbretit”, kur në një kampionat me 10 skuadra si Superliga , ndahet në dy gjysma si me thikë . 5 skuadra luftojnë për parajsën , pra për titullin dhe 5 të tjera për t’i shpëtuar ferrit , rënies një kategori më poshtë! Nëse do të besonim në atë që thuhet se ky është kampionati i kampionateve sepse ndryshe nga ç‘ishim mësuar…nuk ia kemi haberin se ç’do te ndodhë në fundin e filmit.
Po pse sikur ia dinim edhe fillimin? Kush e dinte se brënda një kampionati do të fshiheshin dy bëma më të mëdha të sezonit: bojkoti i lajthitjes se kokës, ku 8 javë futbolli i madh dhe i vogël i moshave ndaluan këmbët për të lojtur me politikën dhe rifillimi i ndeshjeve me marsh të tretë, dy herë në javë ..pa kthyer kokën pas! Dhe orgazma e futbollit tonë nuk ndodhi në fushë, por tamam në klasifikim. Dhe gjëja më e bukur që po kurdiset me sukses wshtw trafikimi i i pikëve ne ate bursën qe quhet tabelë. Na gjeni një kampionat tjetër, ku një javë vihet bast se titullin do të fitojë Partizani, pastaj futet dora në zjarr për Teutën, më pas kthjellohemi dhe besojmë tek Vllaznia. Dhe kur na kthehet frika e përmbysjes së kartave besojmë për Laçin, madje edhe për Tiranën , që dashka të festoka edhe ..101 vjetorin..
Ky kampionat që ka marrë lloj lloj emrash e bekimesh , pa patur ndonjë ofertë cilësore në lojë , por, ama na bëhet si një “revolucion kinez ” në klasifikim, do të mbahet mend edhe për një arsye madhore: fundin e tij e di vetëm Nastradini i madh dhe jo të vegjëlit , ata që gjithë këto vite na e tregonin përrallën e me top para se të ndodhte. Ky kampionat do të mbahet sepse kur stadiumet u boshatisën nga pandemia , pra u luajt pa frymën e tifozëve, gara me pikë u zbukurua kaq shumë, sa lind mëdyshja shqiptare: mos vallë futbolli na bëhet një ekuacion më i bukur kur nuk kemi njerëz në stadiume..?
Sfidanti.al