Myrto Uzuni ngre “dolli” për titullin në Hungari, me dy gola për Ferencvaroshin!

Këpucën e Artë me shumë gjasë nuk e fiton dot, por s’ka problem. Myrto Uzuni është bërë lajm i madh në Superligën e Hungarisë që në sezonin e tij të parë, gjë që e konfirmoi me dy gola të tjerë, duke qenë kontribuesi kryesor për titullin kampion. Ferencvaroshi mundi 3-0 Dozhën e Ujpeshtit në javën e 30-të, duke u shkëputur 14 pikë nga Akademia Pushkash që ndodhët në vendin e dytë. Lojtari 25-vjeçar ka tani 11 rrjeta në kampionat, duke qenë i treti në renditjen e golshënuesve më të mirë, vetëm 2 gola larg vendit të dytë që mbahet nga Daniel Gazdag i Budafokut. Ai është njëkohësisht lojtari më i mirë i ekipit.

Ferencvaroshi ka 69 pikë duke qenë gjatë gjithë kohës në krye të renditjes, ndërsa këtë edicion u kthye në fazën e grupeve në Champions pas 25 vjetësh. Uzuni u dallua edhe aty duke shënuar 3 gola, ndonëse nuk dihet nëse do ta vazhdojë karrierën në Hungari. Ai mund të jetë pjesëmarrës në Champions, dhe të synojë sërish grupet, por edhe mund të kalojë në ndonjë kampionat më të fortë. Për momentin, është Olimpiakosi i Pireut që e kërkon në Greqi, por pritet të ketë edhe klube të tjerë që të interesohen për të.

Sfidanti.al