Opinioni publik vlen, ka kaos në “Pallatin e Pushtetit” të Superligës!

Nuk dihet se çfarë do të ndodhë deri në fund, por reagimi i fortë, i menjëhershëm dhe i njëzëshëm i tifozëve, yjeve të futbollit dhe mjaft trajnerëve e personaliteteve duket se ka ndikuar për të ngadalësuar “revanin” e 12 klubeve për themelimin e Superligës Europiane. Mançester Siti, sipas mediave, ka konfirmuar planet se mund të tërhiqet nga projekti, një gjë të tillë po e mendon edhe pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, ndërsa në Spanjë këtë punë po e mendojnë Barcelona dhe Atletiko e Madridit. Po ashtu, shefi ekzekutiv i Mançester Junajtidit, Ed Uduord, ka dhënë dorëheqjen.

Duket se “kockë më e fortë” kanë mbetur pronarët amerikanë si ata të Mançester Junajtidit, Liverpulit dhe Arsenalit, presidenti i Realit të Madridit si dhe bosët e klubeve italiane. Opinioni publik ka ndikuar fuqishëm, të paktën në momentin e parë, dhe jo më kot kompanitë e basteve parashikuan se Superliga Europiane nuk mund të krijohej para vitit 2023. Me gjasë, tërheqja e Sitit apo e Çelsit është taktike, sepse pronarët e tyre i kanë bërë mirë planet që më parë, për t’u tërhequr tani, ndaj kjo duket si një ndeshje me disa “sete”, për të parë se kush do të fitojë “setin final”.

Sfidanti.al