Pavarësisht klimës së tmerrshme, planet janë gati. Superliga Europiane është jo vetë ide, por ka edhe kalendarin e sezonit të parë. Njëzet skuadra do të ndahen në dy grupe, e do të luajnë në formë kampionati, me ndeshje vajtje-ardhje, 18 javë gjithsej. Në tërësi, për çdo ekip do të ketë nga 23 deri në 25 ndeshje, e sezoni pritet të nisë në gusht dhe të përfundojë në majin e vitit pasardhës. Gjithsesi, kjo ide ka shkaktuar një luftë të vërtetë. Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, paralajmëroi.
“Unë mund ta theksoj fort në këtë moment se UEFA dhe futbolli në botë janë të bashkuar, – tha presidenti, – kundër propozimit të turpshëm dhe egoist, që nxitet vetëm nga lakmia mbi gjithçka tjetër. Sporti ynë është bërë më i madhi në botë për shkak të konkurrencës, ne nuk do të lejojmë që kjo të ndryshojë. Lojtarët e këtyre klubeve do të përjashtohen nga Kupa e Botës dhe Europiani”.
Edhe politika në Europë ka dalë kundër. Kryeministri britanik, Boris Xhonson, premtoi se do të bëjë gjithçka për të ndaluar që kjo të ndodhë, ndërsa dënime ka pasur nga Italia e Franca. Presidenti i Realit, Florentino Perez, mbron me forcë Superligën.
“UEFA është monopol, – tha ai, – Ne duam vetëm që futbolli të bëhet më i mirë, duam ta shpëtojmë sepse është në një rrezik shumë të madh. Ata kanë krijuar një Champions që nuk funksionon, për këtë kam folur më klubet dhe federatat. Deri në 2024, ne mund të kemi vdekur, ka klube që kanë humbur qindra milionë. Superliga do të jetë spektakli më i madh në botë, 4 miliardë njerëz në botë do ta ndjekin”.
Kështu si Perezi mendojnë edhe drejtuesit e tjerë të klubeve, që parashikojnë të ardhura deri në 10 miliardë euro në vit. Në Angli theksojnë se kjo po ndodh si pasojë e ndikimit të aksionerëve të huaj në futboll, duke dhënë informacionin se Arsenali, Mançester Junajtidi dhe Liverpuli kanë pronarë amerikanë, Çelsi ka pronar rus, Mançester Siti ka pronar nga Gjiri Persik, dhe vetëm Çelsi e ka britanik.
Gjithsesi, në elitën e pasur ka dy përjashtime, Bajerni i Mynihut dhe Paris SG. Presidenti i bavarezëve, Rumenige, ka dalë kundër propozimit, siç ka dalë edhe Dortmundi. Besohet se kjo ndodh për shkak të strukturës së futbollit gjerman ku 51 për qind e aksioneve të klubeve zotërohet nga tifozët. Kaq e fortë është kjo traditë saqë tifozë të skuadrave të ndryshme kanë sulmuar pronarin e Hofenhajmin, Ditmar Hop, po ashtu edhe aksionerët e Lajpcigut që kanë krijuar klube privatë.
Paris SG, ndërkaq, ka mbetur jashtë sepse presidenti Al Helaifi është përfaqësues i familjes mbretërore të Katarit që zotëron klubin, dhe që ka një raport special me presidentin e Francës, Emanuel Makron, diçka që ndoshta vlen më shumë se Superliga. Kompanitë e basteve parashikojnë që gara e re të mos nisë para vitit 2023, që Bajerni e PSG të pranojnë më në fund, dhe që UEFA të mos i përjashtojë klubet.
Sfidanti.al