Reja kënaqet në Shkodër, por italianit nuk i kanë thënë për fushat!

Pamjet janë vërtet të bukura. Është kënaqësi të ndjekësh stërvitjen e futbollistëve të vegjël, dhe këtë ndjenjë duhet ta ketë provuar Edi Reja ndërsa vëzhgoi përgatitjen e rreth 100 lojtarëve të seleksioneve të rajonit të Shkodrës, të ekipeve U13, U14 e U15. Në kamerën e Federatës Shqiptare të Futbollit edhe fusha e kompleksit “Reshit Rusi” duket mirë, ndonëse siç thuhet “dardha e ka bishtin prapa”.

Pavarësisht se Federata njofton që trajneri i kombëtares mbeti i kënaqur nga ajo që pa, dhe deklaroi se “po punohet për një të ardhme të ndritur”, sërish futbolli në Shkodër ashtu si në gjithë Shqipërinë ka një problem të madh. Terreni në “Reshit Rusi” është me bar sintetik dhe burime në klubin e Vllazninë bëjnë me dijë se cilësia e fushës është aq e keqe saqë trajneri i ekipit, Tomas Brdariç, nuk ka pranuar ta përdorë për stërvitjen e ekipit.  Jo vetëm kaq, por edhe 2-3 fusha me bar natyral që ka Shkodra janë në gjendje të dobët, siç e tregojnë edhe pamjet filmike të stërvitjes së Vllaznisë, të botuara nga mediat televizive të qytetit.

Në këto kushte stërviten edhe ekipet e moshave, pra edhe ato të seleksioneve rajonale, dhe po në këto kushte zhvillohen kampionatet dhe kupat vendore. Në Bashkinë e Shkodrës për momentin mendohet vetëm për ekipin e parë, me një buxhet prej 45 milionë lekësh, me të cilin paguhen 80 për qind të rrogave, si dhe detyrimet ndaj tatimeve që shkojnë në rreth 1.5 milionë lekë në muaj. Nëse nga pushteti qendror nuk do të ketë përparësi për investime në infrastrukturë, edhe vizitat e trajnerit Reja dhe stafit të tij nuk do të kenë ndonjë efekt për rritjen e nivelit të futbollit të moshave.

Sfidanti.al