Pasi luajti në fushën e një shteti që nuk e pranon zyrtarisht si Greqia, ekipi përfaqësues i vendit më të ri të Europës shkeli edhe një tjetër tabu, tokën spanjolle. Kosova luajti në stadiumin e Seviljes ndaj Spanjës duke bërë me futboll atë që ende nuk mundet ta bëjë me diplomaci, duke u njohur sportivisht edhe pse jo politikisht.
Anipse televizioni publik spanjoll turpëroi veten duke shkruar me shkronja të vogla inicialet e ekipit mik (diçka që meriton t’u kthehet me të njëjtën monedhë kur Spanja të vizitojë Prishtinën), pavarësisht se komentatori spanjoll nuk ia përmendi emrin shtetit ballkanas, të përbërë në shumicë dërrmuese nga shqiptarë, sërish Kosova fitoi. Humbi vërtet në fushë 1-3, por e gjithë Spanja e pati para syve për 90 minuta.
Qeveria në Madrid, që për disa gjëra ka mbetur ende në kohën e Frankos, mundet të mos dëshirojë ta njohë Kosovën nga frika e kërkesës për pavarësi nga Katalonja! Dakord, por historia na mëson se vetë principatat që më pas krijuan Spanjën luftuan gjatë për pavarësi nga pushtuesit arabë dhe për njohje. Më në fund, e arritën. Edhe Kosova do ta arrijë, sado e gjatë dhe e vështirë të jetë kjo rrugë.
Në stadium, ekipi i trajnerit Shaland u mbajt fort deri në minutën e 34-ët, por pastaj u dorëzua dy herë në dy minuta. Dani Olmo dhe Ferran Torres ishin autorë të golave. Në 70’, Besar Halimi shënoi nga 40 metra largësi pasi portieri spanjoll gaboi, por 5 minuta më pas ishte sulmuesi Moreno që realizoi për 3-1. Në fund, Kosova pati dy raste me Kastratin, por nuk e shkurtoi dot diferencën, dhe pësoi humbjen e dytë në dy ndeshje eleminatore të Botërorit, pas asaj 0-3 me Suedinë në Prishtinë.
Kosova: Ujkani, Vojvoda, Dresheviç, Aliti, Kryeziu, Hadërgjonaj, Celina, Halimi (Voca 82’), Kololli (Zeneli 57’), Rashica (Kastrati 55’), Muriqi. Tr. Shaland
Sfidanti.al