“Blamage”! Kjo është fjala më shumë e përdorur pas humbjes së “pancerëve” ndaj Maqedonisë së Veriut, në ndeshjen e fundit zyrtare deri në fazën finale të Europianit. Gjermania ndoshta nuk do ta rrezikojë vendin ne finalet e Kupës së Botës vitin e ardhshëm, por disfata e ktheu sërish tek momenti i humbjes 0-6 në Spanjë për Ligën e Kombeve.
Trajneri Joakim Lëv do të largohet pas Europianit dhe nën dritën e rezultatit të kësaj të mërkurë duket më mirë kështu. Lëv mund të thotë se skuadra gjermane sot nuk ka udhëheqës, ndërsa nëpër klube rolin e prijësve e kanë marrë të huajt. Një Levandovski apo Alaba tek Bajerni, një Haland tek Dortmundi, ndërsa dikur në fushë ishin Fric Valter, Uve Zeler, Franc Bekenbauer, Gerd Myler, Karl-Hajnc Rumenige apo Lotar Mateus.
Gjithsesi, Lëvi padyshim që e ka fajin edhe vetë. Ai largoi nga kombëtarja treshen Tomas Myler, Zherom Boateng dhe Mats Humels, të cilët kishin përvojë të madhe. Sidomos, Myler po shkëlqen për Bajernin. Në fushë ishte Kimih, por mungoi Nojer, ndërsa shumë nga lojtarët janë të mirë, por jo drejtues si Rydiger, Xhan, Ginter, Gosens, Gorecka, Sane, Gnabri dhe vetë Haverc. Dikur ishte një bosht i Bajernit dhe diçka më pak i Dortmundit apo më herët i Gladbahut e Hamburgut, sot kjo gjë nuk ekziston.
Sa për Maqedoninë e Veriut, ajo arriti një fitore të madhe ndërsa luajtën disa lojtarë me origjinë shqiptare si Musliu, Alioski, Ademi, Bardhi apo Bejtullai. Në stol ishin Hasani e Ibraimi, pra plot 7. Veterani Goran Pandev kaloi miqtë në epërsi në 45’+2. Ilkai Gyndogan dha shpresë kur barazoi pas pushimit (63’) me penallti, por Eljif Elmas vulosi shifrat 1-2 në 85’.
Gjermania: Ter Shtegen, Rydiger, Xhan, Ginter (Musiala), Gosens (Junes), Kimih, Gorecka, Gyndogan, Haverc (Verner), Sane, Gnabri.
Sfidanti.al