Manaj dhe Uzuni bëjnë Shqipërinë “me krahë”, 2-0 në San Marino!

Fitore 2-0, vend i dytë në grup dhe mbyllje e fazës së parë eleminatore të Kupës së Botës, ndonëse jo duke shkëlqyer. Kjo është Shqipëria e Edi Rejës që fitoi 2-0 në San Marino, ndërsa duhet të falenderojë Myrto Uzunin. Në pjesën e parë kuqezinjtë patën disa mundësi shënimi me Hysajn apo Lenjanin, veçse loja nuk ishte ajo e duhura. U desh hyrja në fushë e atij që mund të jetë një nga lojtarët kryesorë të së ardhmes, Uzunit, që gjendja të ndryshonte.

Sulmuesi beratas, i futur në lojë pas pushimit, ndezi zjarr kombëtaren, që gjithashtu përfitoi edhe nga shpejtësia e Odise Roshit. Uzuni pati rast që në minutën e 47-të i ndaluar nga portieri, pastaj shërbeu për Hysajn që deshi të kombinonte me Roshin. Në 56’, lojtari i Ferencvaroshit ekzekutoi goditjen nga këndi dhe Ajeti iu afrua avantazhit. Edhe goli i shënuar nga Rej Manaj erdhi nga këmbët e Uzunit, ndërsa sulmuesi i Barcelonës B goditi saktë me kokë në 63’.

Katër minuta më pas, Uzuni e Roshi iu afruan golit të dytë, ndërsa në fushë ishin padyshim edhe lojtarët e tjerë. Ramadani goditi nga largësia, ndërsa Elseid Hysaj rrahu shtyllën pas topit të dhënë nga Lenjani. Gjithsesi, goli ishte afër dhe dy minua më pas, në 85’ishte vetë Uzuni që tundi rrjetën. Beratasi 23-vjeçar ka dy gola me kombëtaren pas atij që shënoi në miqësoren ndaj Kosovës. Me këtë fitore, kombëtarja ka 6 pikë në 3 ndeshje, ndërsa ka fituar 1-0 në fushën e Andorrës dhe humbur 0-2 në “Arenën Air Albania” me Anglinë.

Shqipëria: Strakosha, Gjimshiti, Ajeti, Veseli, Hysaj, Lenjani (Mitaj 87’), Bare, Laçi (Roshi 46’), Ramadani, Manaj (Cikalleshi 87’), Broja (Uzuni 46’). Tr. Reja

Sfidanti.al