Dëmtimi mund ta ndalojë Levandovskin të thyejë rekordin e Mylerit

Po shkëlqente edhe në kombëtare, ashtu si edhe me klubin. Për fat të keq, Robert Levandovski u dëmtua ndaj Andorrës dhe u larguanga kombëtarja që pati ndeshjen ndaj Anglisë sot në “Uembli” për eleminatoret e Kupës së Botës. Levandovski shënoi 2 gola në fitoren 3-0 ndaj Andorrës në 28 mars, dhe pikërisht në atë sfidë dëmtoi ligamentet e gjurit ndaj do të duhet të pushojë për 4 javë. Përveç kombëtares, mungesën e tij do ta ndjejë shumë edhe Bajerni i Mynihut.

Kampionia e Gjermanisë dhe e Europës do të duhet të luajë pa Levandovskin në sfidën direkte për titull në fushën e Lajpcigut këtë fundjavë, ndërsa konkurrenca në Bundesligë është e ashpër. Bavarezët kryesojnë renditjen, por me vetëm 2 pikë më shumë sesa Lajpcigu. Levandovski do të mungojë edhe në të dyja sfidat tepër të rëndësishme çerekfinale të Championsit ndaj Paris SG, diçka që pritet t’i prishë shumë punë ekipit të Hansi Flikut. Bajern-PSG është një përsëritje e finales së vjetshme dhe francezët pritet të kenë në fushë dy yjet e sulmit, Mbape e Nejmar.

Vetë Levandovskit ky dëmtim pritet t’i kushtojë shtrenjtë në synimin për të thyer rekordin e Gerd Mylerit për numrin e golave në një sezon të Bundesligës. Polaku ka shënuar 35 gola, ndërsa rekordi është 40. Sulmuesi pritet të humbasë 4 ose 5 ndeshje nga 9 që kanë mbetur gjithsej, pra nuk dihet nëse do të mund ta kalojë Mylerin. Ai do të mungojnë ndaj Lajpcigut, Unionit të Berlinit, Volfsburgut, Leverkusenit dhe ndoshta edhe ndaj Maincit.

Sfidanti.al