Uestbruk është mbreti i tripëll dabëllit, por a mund ta fitojë titullin?!

Si basketbollist është tepër i veçantë, shumë energjik, me saktësi mjaft të mirë në gjuajtje, me viozin për lojën dhe prani të madhe në tabela. Rasëll Uestbruk mund të cilësohet edhe si simboli i lojës së sotme të koshit, veçse ylli i Uashingtonit duket se jeton më shumë sesa duhet për rekordet e tripëll dabëllave. Ai pati një mbrëmje pa precedent në fitoren e Uashingtonit ndaj Detroitit duke u bërë i pari lojtar në NBA që ka 35 pikë, 21 asistë dhe 14 topa në tabela në një ndeshje të vetme. Nëse marrim vetëm pikët dhe asistet, ai është i treti në histori. Po ashtu, Uestbruku është vetëm 19 tripëll dabëlla larg rekordit të Oskar Robertsonit me 181 në karrierë, ndërsa mund të realizojë sezonin e katërt në 5 vitet e fundit me mesatare tripëll dabëlli. Deri tani, këtë edicion ka 16 ndaj 12 të Nikola Jokiçit e Xhejms Hardenit dhe 9 të Luka Donçiçit. Sidoqoftë, Uestbruk nuk duket shumë i aftë për të qenë në një skuadër që të fitojë titullin. Tek Oklahoma ishte me Durantin dhe tek Hjustoni me Hardenin, por nuk shkuan mirë. Dy sezone më parë, Majkëll Xhordan u pyet se çfarë ishte më e vështirë, të arrije rekordet e Uestbrukut apo rekordet e shënimit të Xhejms Hardenit, por “Xhordani Ajror” u përgjigj shkurt: “Më e vështirë është të fitosh 6 tituj kampion në NBA”.

Sfidanti.al