Filadelfia nuk mund të ndalet nga Lejkërsat pa Lebronin e Dejvisin

Katër humbje radhazi janë shumë për ekipin kampion, ndërsa janë shqetësim kur përsëriten për të dytën herë që nga shkurti. Los Anxhelos Lejkërsat janë në rënie të lirë në sezonin e rregullt të NBA-së që pas dëmtimit edhe të Lebron Xhejmsit, pas atij të Entoni Dejvisit. Humbja e katërt radhazi edhe në shtëpi nga Filadelfia, që jo më kot është skuadra më e mirë e Konferencës Lindore dhe e dyta më e mirë deri tani në kampionat. Miqtë patën frymëzimin kryesor nga Deni Grin, ish-lojtar i Lejkërsave, që shënoi 28 pikë. Ai realizoi 8 gjuajtje tripikëshe dhe u shpreh më pas se “erdha të takoj disa nga vëllezërit e mi, dhe të ndeshem me ta, e bukur që fituam”. Grin mori unazën e titullit kampion të fituar vjet me Lejkërsat, siç bëri edhe Duajt Hauard, që gjithashtu kaloi nga Liqënasit tek Filadelfia. Për habi, Grin nuk e ka marrë ende unazën e titullit kampion që fitoi në 2019 me Toronton, për shkak të pandemisë. Filadelfia fitoi 109-101 në “Stejpëll Sentër” dhe ka 32 fitore e 13 humbje në krye të Konferencës Lindore, ndërsa Lejkërsat kanë 28 fitore e 17 humbje në vendin e katërt në Perëndim, por të rrezikuar nga Denveri, Portlendi dhe Dallasi.

Sfidanti.al