Prag Andorrë-Shqipëri, kombëtarja shpreson ta nisë Botërorin me këmbë të mbarë!

Sërish përballë këtij kundërshtari dhe shpresojmë me sukses. Kombëtarja shqiptare e futbollit nis sot eleminatoret e Kupës së Botës dhe këtë e bën me ndeshjen në fushën e Andorrës në orën 20:45. Ekipi i drejtuar nga trajneri Edi Reja do të hyjë në fushë në rolin e favoritit përballë një kundërshtari më modest, ndërsa precedenti ishte fitore 3-0 në eleminatoret e Europianit. Shqipëria atëherë fitoi e drejtuar nga Ervin Bulku pasi Kristian Panuçi dha dorëheqjen në vijim të humbjes 0-2 me Turqinë në Shkodër.

Synimi është një tjetër fitore, pavarësisht nga shifrat, ndërsa Reja pritet të luajë me skemën e tij të zakonshme, 3-5-2. Në portë, kapiteni Etrit Berisha, në mbrojtje treshja kryesore Ismajli-Gjimshiti-Kumbulla, në sulm dyshja titullare Manaj-Cikalleshi, ndërsa në mesfushë boshti është ai i përbërë nga Bare, Gjasula e Memushaj. Trajneri ka vendosur për përvojën e Hysajt në krah të djathtë, ndërsa në të majtë është i lëkundur mes Lenjanit që garanton më shumë në fazën mbrojtëse, dhe Uzunit që ka më shumë peshë drejt sulmit.

Skuadra kreu stërvitjen përfundimtare në stadiumin ku do të luhet ndeshja, dhe besohet se është gati, ndërsa Reja kërkon 7 pikë në tri ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Andorrës, Anglisë e San Marinos. Gjithsesi, nuk duhet të harrojmë se me këtë kundërshtar kemi edhe dështime, si barazimi 2-2 në “Elbasan Arena” në eleminatoret e Europianit po nën drejtimin e Rejës, apo humbja 0-2 jashtë fushe në 2002, kur u shkarkua trajneri Demollari. Sfida e parë ka qenë në 2010, fitore 1-0 në “Qemal Stafa” me gol të shënuar nga ndihmësi i sotëm i Rejës, Hamdi Salihi.

Formacioni i mundshëm: Berisha, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Hysaj, Bare, Gjasula, Memushaj, Uzuni (Lenjani), Manaj, Cikalleshi.

Sfidanti.al