Stadiumi si “Arenë” e fushatës elektorale dhe e autogolit të policisë!

Policia e Shtetit u bë qesharake sot me qendrimin e saj të dyfishtë dhe krejt kundërthënës lidhur me garantimin e sigurisë në “Arenën Air Albania” për ndeshjen ndaj Anglisë në 28 mars. Sfida e Botërorit është kthyer njëkohësisht edhe një “shesh beteje” elektorale, por edhe një shkak që Policia e Shtetit të bënte autogol.

Fillimisht, Policia e Tiranës deklaroi se nuk e merrte përsipër ndeshjen sepse nuk garantonte dot sigurinë, komunikatë së cilës i bëri jehonë “me vrap” Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF). Pak orë më vonë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë deklaroi të kundërtën e “bluve” të Tiranës: E marrim përsipër ndeshjen! Në këtë konflikt deklaratash brenda shtetit dhe brenda qeverisë, nuk ka dyshim se do të jemi me policinë e kryeqytetit sepse ajo patjetër që ka pasur arsye të forta për të refuzuar, ndërsa vetë krerët e lartë të policisë dhe IKMT-ja nuk e kanë pasur aspak shqetësim një gjë e tillë. Gjithçka është e qartë sepse nëse ndodh gjë ndaj Anglisë, fajësia bie mbi Drejtorinë e Tiranës.

Nga ana tjetër ka një paragjykim apriori për FSHF-në dhe kreun e saj, Armand Duka, pasi vëllai i presidentit është rreshtuar në krahun e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Nuk ka sesi të mos paragjykohet kërkesa për të luajtur me tifozë në stadium (të pavaksinuar fillimisht, e më pas të vaksninuar), kur tifozë nuk ka as në “Uembli”, as në “Stadë dë Frans”, as në “Alianc Arena”, “San Siro” apo “Kamp Nou”. Në rastin e ndeshjes me Anglinë do të shikohet reagimi i UEFA-s dhe i vetë Federatës Angleze për të parë sesa serioze është shkelja e sigurisë nga strukturat metalike dhe të xhamta të bizneseve në Arenë.

Sfidanti.al