Për fat, vijnë në grumbullim pa probleme dhe me minuta në fushë. Lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Edi Reja për ndeshjet e kombëtares në eleminatoret e Botërorit janë në formë të mirë dhe sidomos disa prej tyre u paraqitën me nivel të lartë këtë fundjavë. Portierët Etrit Berisha dhe Gentian Selmani jo vetëm që ishin titullarë, por edhe shkëlqyen përkatësisht në Serinë B dhe Ligën e Parë të Turqisë.
Berisha e mbrojti me sukses portën e Spalit të Ferrarës në fitoren minimale 1-0 në shtëpi ndaj Çitadelës. Pavarësisht se u luajt në fushën vendase, Spali e pati tepër të vështirë dhe u deshën disa pritje të rëndësishme të shqiptarit të Kosovës që të mbrohej fitorja. Edhe Gentian Selmani i bëri pritjet e tij për Bolusporin në fitoren 2-1 jashtë fushe ndaj Ankarasporit. Ish-portieri i Laçit, pjesë e kombëtares këtë herë së bashku me Berishën dhe Strakoshën, i dha mundësi Bolusporit që të arrinte një sukses të rëndësishëm që e mbajti në mesin e renditjes së Ligës së Parë turke.
Në Serinë A, mbrojtësit Elseid Hysaj e Berat Gjimshiti i patën minutat duke qenë titullarë. Hysaj u paraqit mirë për Napolin që fitoi 2-0 në fushën e Romës, dhe është në pretendime serioze për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm. Shkodrani ishte pjesë e repartit difensiv që nuk lejoi prekjen e rrjetës, ndërsa golat u shënuan nga belgu Dris Mertens. Gjimshiti është në pozita edhe më të mira sesa Hysaj pasi luan gjithnjë titullar tek Atalanta. Mbrojtësi i kombëtares ishte po ashtu protagonist në një fitore identike, 2-0, arritur në fushën e Veronës. Bergamaskët janë në vend të tretë në Serinë A, me 55 pikë sa Juventusi, ndonëse kanë luajtur një ndeshje më shumë.
Së fundmi, është në formën e duhur fizike Armando Broja. Sulmuesi i Viteshes e kaloi shpejt problemin fizik që pati një javë më parë kur doli nga loja i dëmtuar. Lojtari 19-vjeçar i huazuar në Holandë nga Çelsi i Londrës, luajti për 90 minuta në barazimin shtëpiak 0-0 ndaj Vilemit.
Sfidanti.al