Realin e sotëm quajeni “Karim Benzema”, dy gola ndaj Seltës

Në gjashtë ndeshjet e fundit ka shënuar 8 herë dhe po bën detyrën sikur të ishte një Kristiano Ronaldon. Karim Benzema është kthyer në lojtarin vendimtar të Realit që ende mban veten me shpresë në La Liga, sidhe pretendon të fitojë Championsin. Në fushën e Seltës, sulmuesi francez shënoi dy nga 3 golat dhe shërbeu asistin për golin e fundit të Marko Asensio. Përfundoi 3-1 dhe ekipi i Zidanit luajti shumë mirë në pjesën e parë, ndërsa u detyrua të përballonte rikthimin e Seltës pas pushimit. Fitorja e ngjit Realin në 60 pikë, vetëm 3 pikë prapa Atletikos dhe 1 pikë mbi Barcelonën, por që të dyja këto skuadra kanë për t’i zhvilluar ndeshjet e javës së 28-të.

“Nuk ka antidot për Benzemanë”, – shkruan “AS”, që e cilëson veteranin si “kapriço” të (presidentit) Perez dhe (trajnerit) Zidan, që është kthyer në “lojtar total” pas kalimit të moshës 30-vjeçare. “Me Benzemanë gjithçka është e mundshme”, – titullon “Marka”, që veçon gjithashtu edhe “faktorin Kros”. Benzema ka 23 gola dhe 6 asiste këtë sezon.

Sfidanti.al