Tre gola, Levandovski drejt rekordit të Gerd Mylerit e Këpucës së Artë

Shumëkush ende mendonte se një arritje e tillë nuk do të mund të kapej, jo më të kapërcehej. Rekordi i Bundesligës me 40 gola në një sezon nga Gerd Myler qendron krenar prej gati 50 vjetësh, por duket se po “jeton” javët e fundit. Robert Levandovski arriti në 35 rrjeta këtë edicion të kampionatit gjerman pasi realizoi 3 herë në portën e Shtutgartit. Përfundoi 4-0 në “Alianc Arena”, dhe sulmuesi polak realizoi në minutat 17’, 23’ dhe 39’, pra në pjesën e parë. Më pas nuk pati ndryshim rezultati, por Levandovski ka 35 gola në 25 ndeshje, kur duhen edhe 9 javë deri në përfundim, dhe është vetëm 4 goditje larg Mylerit të madh. Ai ka 42 gola këtë edicion në të gjitha garat në vetëm 36 ndeshje, dhe është gjithnjë e më shumë drejt fitimit të Këpucës së Artë të Europës për të dytin sezon radhazi. Parashikohet që polaku është favorit për të fituar edhe Topin e Artë, që “Frans Futbolli” nuk e ndau vjet, ndonëse do të duhet të arrijë edhe sukseset sportive me Bajernin.

Sfidanti.al