Në futboll duhet të jesh 100 për qind i vëmendshëm në çdo moment, sikur të jetë një luftë. Atë që sjell çasti nuk e sjell moti, thotë populli, dhe Mançester Sitit i ndodhi po kështu. Pas një pjese të parë të shkëlqyer, të cilën e dominoi me lojë, por jo me rezultat, të besuarit e Pep Guardiolës u duk sikur do të “bënin namin”, me të nisur e dyta, duke shënuar dy gola. Më pas, ata nuk ishin më vetvetja pas pushimit, duke u barazuar nga Totenhemi në “Etihad”. Jo vetëm kaq! Barazimi erdhi në rreth 70 sekonda frenetike, me dy ngjarje kyçe.
Në minutën e 76-të, Stërling u shty në zonë nga Uolker, dhe me të drejtë Guardiola kërkoi penallti. Gjyqtari nuk e kuptoi drejt situatën dhe 11-metërshi nuk u dha (nëse do të kishte qenë teknologjia, s’do të kishte pasur problem). Siti protestoi, por Totenhemi barazoi në aksionin tjetër. Kishin kaluar vetëm 67 sekonda!
Ky barazim në shtëpi, ndoshta, i dha fund një herë e mirë shpresave të Sitit për ta fituar titullin këtë sezon, të cilin e nisi si favorit, por në të cilin po rrezikon edhe kualifikimin në Champions, duke qenë në vendin e pestë me 43 pikë. Siti shënoi golin e parë në 49’ me anë të Leroi Sanesë, pastaj në 54’, realizoi Kevin De Brujn, por Dil Ejli shkurtoi shifrat në 58’ dhe koreanojugori zëvendësues, Son Heung-Min barazoi.