Nëse ka diçka që vlen më shumë se gjithçka tjetër në një skuadër futbolli, apo sportive në përgjithësi, ajo është “ngjizja” e individëve në një ekip. Që të ndodhë kjo duhet që të ruhet “bërthama”, pra një një grup lojtarët që përbëjnë boshtin, dhe tek Interi duken me fat që trajneri Antonio Konte po arrin të bindë disa nga yjet që të mos largohen sapo “sirenat” e para nisin të tërheqin fatalisht “detarët” me këngët e tyre.
Romelu Lukaku duket njëri prej tyre i cili siç thonë në Itali “është i martuar me Interin”. Pavarësisht se Mançester Siti është gati të paguajë sa të duhet për të, sulmuesi belg mesa kuptohet është i lidhur shpirtërisht me ngjyrat zikaltër, me Konten dhe me tifozët, me një fjalë me misionin për të fituar në Milano. Me këtë ai do të sigurojë një vend të madh në zemrën e publikut, do të bëhet një simbol diçka që e ka realizuar një Maldini, një Zaneti, një Mesi apo Kasijas, por jo p.sh. Ibrahimoviç apo Kristiano Ronaldo. Me gjasë edhe Lautaro Martinez nuk mendon për Barcelonën.
Merita e madhe për këtë i takon Kontes, të cilin ish-sulmuesi i madh interist, Zamorano, e cilëson si “zemrën” e skuadrës. “Ç’rëndësi ka që Konte është një simbol i Juventusit, – thotë kileni, – ai ka ardhur në “San Siro” për të fituar me titullin, këtë po e bën dhe kjo ka rëndësi”.
Sfidanti.al