E ardhmja e Juves? Me CR7-ën, por mesfusha do një … Pirlo

Rrotulloje nga të duash, por këtë fanelë nuk e largon dot aq lehtë. Kur flitet për të tillë si Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo, nuk e nxjerr dot përfundimin negativ edhe sikur të dëshirosh, dhe kjo është dilema e sotme tek Juventusi. Pra, të ndërtojnë skuadrën rreth CR7-ës, apo ta rikrijojnë pa të? Analizat janë të shumta dhe të hollësishme, ato theksojnë se që nga mbërritja e Kristianos, Juvja nuk ka buzëqeshur kurrë në Champions, ndërsa ai u mor pikërisht për Championsin. Tre eleminime para kohe në 3 vjet, ndërsa përpara ardhjes së portugezit, “Zonja e Vjetër” arriti dy herë në finale në 2015 e 2017, madje herën e parë eleminoi pikërisht Realin e Ronaldos! Për më tepër, në 3 vjet në Torino, CR7 ka shënuar në Champions më pak se 15 golat që realizoi sezonin e fundit në Madrid.

Gjithsesi, nga ana tjetër e peshores vendosen gjithashtu fakte. Ronaldo ka shënuar 92 gola në 121 ndeshje me piemontezët, një shifër që nuk të lejon të gabosh, po ashtu në Itali theksojnë se Juventusi është dobësuar këta vjet, sidomos në mesfushë. Në 2015, kur u arrit finalja me Barcelonën, në atë repart ishin Pirlo, Pogba, Vidal dhe Markizio, ndërsa krah Moratës në sulm ishte Karlos Tevez. Kielini, Bonuçi e Bufon ishin shumë më të rinj. Pra, mbetet që të ndërtohet Juventusi rreth Ronaldos, veçse në mesfushë duhet një … Pirlo. i takon pikërisht trajnerit Andrea Pirlo që ta gjejë!

Sfidanti.al